Berisha: Përjashtimi i kompanive të BE nga tenderat është akt i rëndë, heshtja ndaj këtij diskriminimi është e papranueshme

Data

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër lidhur me atë që ai e cilëson si përjashtim të kompanive të Bashkimit Evropian nga procedurat e tenderave publikë në Shqipëri.

Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se heshtja ndaj këtij fenomeni është “e papranueshme”, ndërsa akuzoi qeverinë se ka diskriminuar kompanitë evropiane në favor të klientelës së saj.

“Më duhet të them se për këtë akt të rëndë ka një heshtje dhe kjo heshtje është e papranueshme”, deklaroi Berisha.

Ai solli në vëmendje projektet infrastrukturore të realizuara gjatë kohës që drejtonte qeverinë, duke theksuar se shumica e akseve kombëtare janë ndërtuar nga kompani prestigjioze evropiane dhe amerikane përmes garave të hapura ndërkombëtare.

“Nga Hani i Hotit në Kakavijë, të gjitha akset kombëtare rrugore janë ndërtuar nga kompani evropiane ose amerikane më të njohura”, u shpreh ai.

Sipas Berishës, projektet kryesore rrugore janë realizuar nga kompani me reputacion ndërkombëtar, si Bechtel-Enka për Rrugën e Kombit, Aktor për autostradën Tiranë-Elbasan dhe Todini për segmentin Levan-Tepelenë-Memaliaj.

Ai pretendoi se këto vepra infrastrukturore vijojnë të jenë funksionale edhe pas shumë vitesh.

“Rrugët e ndërtuara nga këto kompani sot, pas 15 vitesh, qëndrojnë pa asnjë problem”, tha kreu i PD-së.

Në kontrast, Berisha akuzoi qeverinë aktuale dhe ministren Belinda Balluku se projektet e ndërtuara nga kompanitë e lidhura me qeverinë po degradojnë.

“Të gjitha rrugët e ndërtuara nga klientela Rama-Balluku janë shembur, po shemben sikur të ishin ndërtime kashte”, deklaroi ai.

Berisha pretendoi gjithashtu se kompanitë e huaja janë penguar të marrin pjesë në tendera përmes procedurave burokratike të lidhura me platformën e-Albania.

“Aplikimi në e-Albania kishte një kohëzgjatje 38 ditë, në një kohë kur tenderat grabiteshin në 34 ditë”, tha ai.

Sipas tij, kjo përbën “diskriminim kriminal” ndaj kompanive të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe dëmton interesin e taksapaguesve shqiptarë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related