Seanca gjyqësore ndaj kryebashkiakut të Vau Dejësit, Kristian Shkreli, i akuzuar për korrupsion zgjedhor, është shoqëruar me debate të forta mes SPAK dhe avokatëve mbrojtës gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarëve.
Në Gjykatën e Posaçme u dëgjuan disa punonjës dhe elektricistë të lidhur me punimet në linjat elektrike të fshatit Stajkë, ndërsa SPAK kundërshtoi deklarimet e tyre duke pretenduar se kanë ndryshuar versionin krahasuar me dëshmitë e dhëna gjatë hetimeve paraprake.
Dëshmitari Anton Lumi deklaroi se nuk e njeh Kristian Shkrelin dhe se ka kryer vetëm detyrat e tij si elektricist.
“Jetmir Deda më çoi për të shtruar një kabëll. Nuk e mbaj mend nëse ishte para apo pas zgjedhjeve”, tha ai.
Prokurori Dritan Prençi kundërshtoi dëshminë, duke deklaruar se gjatë hetimeve paraprake Lumi kishte dhënë një version tjetër.
Edhe dëshmitari Klaudio Fusha u kundërshtua nga SPAK, pasi sipas prokurorisë kishte deklaruar ndryshe për përdorimin e mjeteve në punime.
Nga ana tjetër, avokatët e Kristian Shkrelit këmbëngulën se punimet kanë qenë rutinë e zakonshme e OSHEE-së dhe nuk lidhen me fushatën zgjedhore.
“Meqë ky proces u bë me shtrirje kablli, unë s’kam pyetje tjetër për dëshmitarin”, deklaruan avokatët në sallë.
Në seancë dëshmoi edhe Kastriot Gavoci, shofer fadrome pranë Bashkisë së Vau Dejësit, i cili tha se ndërmarrja ku punon merret vetëm me rrugë dhe kanale.
“Jam katunar dhe puna ime është të bëj kujdes, të punoj, mos me pi”, u shpreh Gavoci gjatë dëshmisë, duke shkaktuar edhe reagime në sallë.
SPAK kundërshtoi edhe deklarimet e tij në gjykatë, duke lexuar pjesë nga dëshmia paraprake ku ai kishte pohuar se ishte telefonuar nga drejtori për të shkuar në zonën ku po vendoseshin shtyllat elektrike.
Sipas prokurorisë, Gavoci kishte deklaruar më herët se kishte parë hapjen e gropave dhe vendosjen e shtyllave me vinç, ndërsa ai me fadromë kishte bërë mbylljen e tyre.
Në përfundim të seancës, Gjykata e Posaçme vendosi shtyrjen e procesit dhe caktoi seancën e radhës më 19 maj, në orën 15:00.
