Kreshnik Spahiu: PD është kthyer në një shoqëri tregtare, Berisha po e çon drejt shkrirjesKreshnik Spahiu: PD është kthyer në një shoqëri tregtare, Berisha po e çon drejt shkrirjes

Data

Juristi dhe analisti Kreshnik Spahiu ka lëshuar akuza të forta ndaj drejtimit aktual të Partisë Demokratike, duke deklaruar se kjo forcë politike ka humbur funksionin e saj si organizatë politike dhe po shkon drejt shuarjes.

Në një intervistë për gazetën “Sot”, Spahiu tha se fakti që Sali Berisha pritet të jetë kandidat i vetëm në garën për kryetar më 23 maj tregon mungesën totale të demokracisë së brendshme në PD.

Sipas tij, Berisha ka shkelur të gjitha premtimet që ka bërë që nga rikthimi në krye të partisë.

“Berisha premtoi primare dhe nuk respektoi rezultatin e primareve. Premtoi ribashkim, por nuk riktheu asnjë themelues të PD-së. Premtoi hapje të partisë, por e mbylli. Premtoi garë, por eliminoi çdo kandidat”, deklaroi Spahiu.

Ai shtoi se Partia Demokratike nuk funksionon më si forcë politike, por si një “shoqëri tregtare me një ortak”.

Spahiu akuzoi gjithashtu Berishën se nuk synon rikthimin në pushtet dhe se po përdoret politikisht nga Edi Rama.

“Çdokush e ka kuptuar që Berisha përdoret nga Edi Rama. Qeveria dhe socialistët duan përballë Berishën dhe askënd tjetër”, u shpreh ai.

Në analizën e tij, Spahiu komentoi edhe protestat e fundit të opozitës, duke thënë se ato kanë qenë ndër më të dobëtat në historinë e PD-së.

Sipas tij, demokratët nuk po mobilizohen më sepse kanë humbur besimin te lidershipi aktual dhe nuk besojnë se protestat synojnë realisht rrëzimin e qeverisë.

“Ata nuk protestojnë sepse e kuptojnë lojën dhe marrëveshjen mes Ramës dhe Berishës. E kanë kuptuar që kauzat e tyre janë tradhtuar”, deklaroi ai.

Spahiu u shpreh se Partia Demokratike është tkurrur ndjeshëm dhe po humbet mbështetjen në qytetet kryesore, ndërsa sipas tij, drejtimi aktual nuk prodhon më alternativë politike dhe as frymë mobilizuese.

Në fund, ai paralajmëroi se PD po shkon drejt “kilometrave të fundit të shkrirjes së saj dhe mbylljes së misionit politik”.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related