Malltezi pas seancës për “Partizani”: Dëshmitarët e SPAK-ut i ka zënë amnezia dhe demenca, ky është persekutim politik

Data

Jamarbër Malltezi ka reaguar ashpër pas seancës gjyqësore për dosjen “Partizani”, duke akuzuar Prokurorinë e Posaçme për ndërtim të një procesi politik dhe përdorim të dëshmitarëve që, sipas tij, “goditen nga amnezia dhe demenca”.

Në deklaratën për mediat, Malltezi ironizoi dëshmitë e paraqitura nga prokuroria, duke përmendur edhe ish-ministrin Taulant Balla, për të cilin tha se kishte deklaruar më herët se nuk i kujtoheshin dokumentet që kishte firmosur.

“Para dy javësh Taulant Ballën e kishte zënë amnezia. Nuk mbante mend çfarë kishte shkruar vetë para katër apo pesë vitesh”, u shpreh Malltezi.

Ai komentoi edhe mungesën e një dëshmitari tjetër, duke pretenduar se ishte justifikuar me probleme shëndetësore.

“Sot ishte një personazh tjetër, Isufaj, i cili nuk ishte paraqitur sepse kinse e ka zënë demenca”, deklaroi ai.

Malltezi tha se një prej dëshmitarëve kishte pranuar në dokumente gjyqësore se kallëzimi i tij ishte bazuar te deklarimet e Taulant Ballës.

“Vetë ka firmosur një dokument ku thotë se nuk di asgjë personalisht dhe se është bazuar te kallëzimi penal i Taulant Ballës”, shtoi ai.

Sa i përket dëshmive të dhëna në seancë, Malltezi tha se asnjë prej dëshmitarëve nuk kishte vënë në dyshim pronësinë e familjes Begeja mbi truallin e ish-kompleksit “Partizani”.

Ai përmendi edhe dëshminë e ish-presidentit të klubit “Partizani”, Albert Xhani, për të cilin tha se kishte pranuar se prona kishte pronarë legjitimë.

“Zoti Xhani deklaroi se prona kishte pronarë dhe se pronarët duhej të lidhnin kontratë për zhvillimin e saj”, u shpreh Malltezi.

Në vijim, ai e cilësoi të gjithë procesin si një ndjekje politike ndaj tij dhe ish-kryeministrit Sali Berisha.

“Këtu nuk kemi të bëjmë me ndjekje penale, kemi të bëjmë me persekutim politik”, deklaroi ai.

Malltezi akuzoi gjithashtu kryeministrin Edi Rama për ndërhyrje politike ndaj drejtësisë, duke iu referuar deklaratave publike të tij për SPAK-un dhe çështjen “Partizani”.

Sipas Malltezit, këto deklarata përbëjnë prova që çështja ka motive politike dhe janë pjesë e argumenteve që mbrojtja ka depozituar edhe në Gjykatën e Strasburgut.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related