Salianji sulmon Berishën një vit pas humbjes së 11 Majit 2025: PD po shkon drejt shuarjes

Data

Një vit pas humbjes së Partisë Demokratike në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit 2025, Ervin Salianji ka reaguar ashpër ndaj drejtimit aktual të selisë blu, duke akuzuar Sali Berishën për mungesë reflektimi dhe përgjegjësie politike.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Salianji tha se pas disfatës elektorale nuk ka pasur as analizë reale, as përgjegjësi dhe as projekt për të ardhmen e partisë.

“1 vit nga humbja e Zgjedhjeve të Përgjithshme 2025. Asnjë reflektim, asnjë analizë reale. Asnjë përgjegjësi e marrë. Asnjë projekt i qartë për të ardhmen”, shkroi ai.

Ish-deputeti demokrat u shpreh se Partia Demokratike po vijon në të njëjtën rrugë që, sipas tij, ka prodhuar humbje për më shumë se një dekadë.

Salianji theksoi se zgjedhjet e 11 Majit shënuan rezultatin më të dobët elektoral në historinë e Partisë Demokratike, madje më të dobët edhe se viti 1997.

“Zgjedhjet e 11 Majit shënuan rezultatin më të dobët elektoral të Partisë Demokratike në historinë e saj. Më i dobët se viti 1997”, deklaroi ai.

Ai kritikoi gjithashtu faktin që, sipas tij, partia po hyn në zgjedhjet e ardhshme me të njëjtët njerëz, të njëjtën mendësi dhe të njëjtën strategji që kanë sjellë humbje të njëpasnjëshme.

Sipas Salianjit, demokratët ndihen të zhgënjyer dhe të pambështetur, ndërsa drejtuesit aktualë nuk po kuptojnë përgjegjësinë për krizën e partisë.

“Rruga që po ndiqet sot është rruga e humbjeve të djeshme dhe e shuarjes së Partisë Demokratike”, u shpreh ai.

Në reagimin e tij, Salianji bëri thirrje për hapje, modernizim dhe bashkim të Partisë Demokratike, duke theksuar se vetëm një transformim i thellë mund ta rikthejë forcën politike në pushtet.

“PD mund dhe duhet të rikthehet si një parti e madhe, një forcë e hapur për çdo demokrat që do të kontribuojë”, përfundoi ai.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related