Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, dhe homologu i tij ukrainas, Mykhailo Fedorov, nënshkruan në Kiev një marrëveshje të re për bashkëpunim strategjik në fushën e mbrojtjes dhe zhvillimit të teknologjisë ushtarake.
Programi i ri, i quajtur “Gjermania e guximshme”, synon zhvillimin e teknologjive moderne të mbrojtjes dhe mbështetjen e kompanive inovative që operojnë në sektorin ushtarak.
Sipas mediave ukrainase, Fedorov deklaroi se Gjermania është aktualisht mbështetësi më i madh i sigurisë për Ukrainën, duke kontribuar me rreth një të tretën e ndihmës totale për vendin.
Vizita e Pistorius në Kiev u fokusua te zgjerimi i projekteve të përbashkëta të armatimit dhe zhvillimi i sistemeve të reja ushtarake, veçanërisht teknologjitë pa pilot dhe sistemet për goditje në distanca të gjata.
“Gjermania dhe Ukraina janë partnerë strategjikë dhe të dyja palët përfitojnë nga ky bashkëpunim. Fokusi ynë është zhvillimi i sistemeve moderne pa pilot dhe forcimi i sigurisë së të dy vendeve”, deklaroi ministri gjerman.
Pas një vizite të mëparshme në Berlin, pala ukrainase bëri të ditur se të dy vendet kanë rënë dakord për një paketë të re mbrojtëse me vlerë 4 miliardë euro.
Paketa përfshin financimin e qindra raketave Patriot, 36 sistemeve të mbrojtjes ajrore IRIS-T, si dhe rreth 300 milionë euro investime për kapacitetet ukrainase të sulmeve në thellësi.
Marrëveshja vjen në një kohë kur lufta mes Rusisë dhe Ukrainës vijon të mbetet një nga konfliktet më të tensionuara në Europë.
