Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, njoftoi se më datë 18 tetor 2024, në mesditë, do të zhvillohet mbledhja për shqyrtimin e projektvendimit që plotëson vakancën e krijuar në Kuvend, pasi deputeti Jurgis Çyrbja dorëzoi mandatin e tij.
Vakanca u shpall nga kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, e cila i kërkoi KQZ-së të plotësojë boshllëkun e krijuar
Sipas njoftimit të KQZ-së, Çyrbja pritet të zëvendësohet nga Erjon Meka, kandidat i listës shumë-emërore të Partisë Socialiste në Qarkun Durrës.
“Projektvendim ‘Për dhënien e mandatit të deputetit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, kandidatit të listës shumë-emërore të Partisë Socialiste, Qarku Durrës, z. Erjon Shërbet Meka’”, njofton KQZ-ja.
Çyrbja e dorëzoi mandatin një ditë pasi u thirr nga SPAK, lidhur me një kallëzim që ishte bërë në Prokurorinë Speciale për periudhën kur ish-deputeti socialist drejtonte Kadastrën e qytetit bregdetar.
