Mungesa e presidentit serb Aleksandar Vučić në ceremonitë e 9 Majit në Moskë ka nxitur spekulime për një ftohje të marrëdhënieve mes Serbia dhe Rusia, në një moment kur Beogradi përballet me presion të shtuar si nga Kremlini ashtu edhe nga Bashkimi Evropian.
Për herë të parë pas shumë vitesh, Vuçiç mungoi në paradën ushtarake të organizuar nga Vladimir Putin në Sheshin e Kuq, ndërsa emri i tij nuk u përfshi në takimet zyrtare të Kremlinit. Kjo është interpretuar nga analistët si një sinjal i qartë i tensioneve në rritje mes dy vendeve.
Megjithatë, presidenti serb i dërgoi Putinit një letër urimi përmes ambasadorit rus në Beograd, Aleksandër Bochan-Kharchenko. Sipas presidencës serbe, gjatë takimit u diskutuan marrëdhëniet dypalëshe, energjia dhe situata rajonale.
Një nga çështjet kryesore që ka tensionuar raportet lidhet me kompaninë energjetike NIS. Sipas diplomatit serb Sreçko Djukiç, Beogradi kërkon të marrë kontrollin e kompanisë, ndërsa Moska refuzon të humbasë ndikimin strategjik në sektorin energjetik serb.
Paralelisht, media shtetërore ruse ka publikuar akuza ndaj Serbisë për furnizim të Ukrainës me municione përmes vendeve të treta. Sipas raportimeve të agjencive ruse, kompani serbe dyshohet se kanë planifikuar dërgesa raketash përmes Bosnje-Hercegovinës, Sllovenisë dhe Polonisë.
Në të njëjtën kohë, Bashkimi Evropian ka shtuar presionin ndaj Beogradit për harmonizimin e politikës së jashtme me Brukselin. Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se Serbia duhet të zgjedhë mes integrimit europian dhe afrimit me Rusinë.
“Një vend kandidat për në BE duhet të harmonizohet plotësisht me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian. Nuk mund të ulesh në dy karrige”, u shpreh Kos.
Mungesa e Vuçiçit në Moskë vjen gjithashtu në një kohë kur Serbia po përballet me debate të forta lidhur me fondet europiane dhe reformat në drejtësi, ndërsa situata gjeopolitike po e vështirëson gjithnjë e më shumë balancimin tradicional të Beogradit mes Lindjes dhe Perëndimit.
