Pretendime të reja janë publikuar lidhur me hetimet e SPAK ndaj ish-zëvendëskryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, në kuadër të procedimeve për tenderat publikë dhe projektet infrastrukturore.
Sipas raportimeve mediatike, në listën e personave që pritet të japin shpjegime është përfshirë edhe Igli Tare, ish-futbollist i Kombëtares shqiptare dhe aktualisht drejtues sportiv te AC Milan. Burimet pretendojnë se ndaj tij është përgatitur një fletëthirrje në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e çështjes, por dokumenti nuk është konfirmuar si i marrë prej tij.
Raportohet se hetimet janë zgjeruar edhe jashtë vendit, ndërsa grupi hetimor po shqyrton mundësinë e një njoftimi të dytë për Taren në Itali, ku ai jeton dhe ushtron aktivitetin profesional.
Ndërkohë, SPAK ka kryer kontrolle në kompani, banesa dhe ambiente të lidhura me persona të afërt të Ballukut, përfshirë vila në jug të vendit. Sipas raportimeve, janë sekuestruar dokumente, telefona dhe pajisje kompjuterike që do t’i nënshtrohen ekspertimit.
Në kuadër të hetimeve janë marrë në pyetje edhe persona të administratës dhe biznesit, mes tyre Viola Haxhiademi, ish-sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Infrastrukturës dhe aktualisht drejtuese në KESH, si dhe Laureta Omeri, ish-këshilltare e Ballukut.
Po ashtu, biznesmenë dhe përfaqësues kompanish që kanë përfituar tendera publikë janë thirrur për të dhënë shpjegime mbi procedurat e prokurimit. Hetimet lidhen me projekte infrastrukturore me vlerë qindra milionë euro, përfshirë Tunelin e Llogarasë dhe segmentet e Unazës së Madhe të Tiranës.
Më herët, SPAK kishte vendosur ndaj Ballukut masën e ndalimit të daljes jashtë vendit, ndërsa kërkesa për arrest u rrëzua nga shumica parlamentare.
Sipas parimit kushtetues të prezumimit të pafajësisë, çdo person konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia të provohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.
