Seanca për aferën “Partizani” në GJKKO, thirren 7 dëshmitarë të rinj, mes tyre ish-drejtues të klubit dhe ish-zyrtarë të pronave

Data

Në GJKKO zhvillohet sot në orën 13:00 seanca e radhës për dosjen e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”, ku të pandehur janë ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe tre persona të tjerë.

Pas dëshmisë së deputetit socialist Taulant Balla në seancën e 30 prillit, procesi vijon sot me marrjen në pyetje të shtatë dëshmitarëve të thirrur nga SPAK.

Mes tyre janë ish-presidentët e klubit “Partizani”, Albert Xhani dhe Paro Laçi, si edhe ish-drejtorët e kompleksit Bujar Labinoti, Afrim Tole dhe Isa Tare. Ata pritet të dëshmojnë mbi procedurat e ndjekura për lirimin e ambienteve sportive dhe privatizimin e pronës.

Sipas dosjes hetimore të SPAK, ish-drejtori Isa Tare ka deklaruar se i ishte premtuar një apartament në këmbim të moskundërshtimit të privatizimit, ndërsa ish-presidenti Paro Laçi ka pretenduar se i ishte ofruar një marrëveshje nga persona pranë Berishës për lirimin e ambienteve të klubit.

Në seancë pritet të dëshmojnë edhe Dhurata Çela, ish-drejtoreshë e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për Tiranën, si dhe Petrit Kullolli, topograf në grupin që shqyrtoi dosjen e pronës së ish-kompleksit “Partizani”.

Ndërkohë, GJKKO ka pranuar edhe kërkesën e mbrojtjes së Berishës dhe Malltezit për të thirrur si dëshmitar kryeministrin Edi Rama. Ai pritet të pyetet lidhur me periudhën kur drejtonte Bashkinë e Tiranës dhe ndryshimin e destinacionit të truallit nga terren sportiv në zonë ndërtimi.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related