Policia në Greqi është vënë në ndjekje të tre personave të dyshuar për një grabitje me armë në një bankë në zonën e Kato Tithorea.
Sipas mediave greke, dy persona të armatosur hynë në ambientet e bankës, ndërsa një i tretë qëndroi jashtë në automjet për t’i ndihmuar në arratisje. Njëri prej autorëve mbante një armë automatike kallashnikov, ndërsa tjetri ishte i armatosur me pistoletë.
Nën kërcënimin e armëve, grabitësit detyruan punonjësit të hapnin kasafortën e bankës. Por sistemi i sigurisë me hapje të vonuar i detyroi ata të prisnin rreth 30 minuta brenda bankës.
Pavarësisht vonesës, autorët dyshohet se arritën të marrin rreth 200 mijë euro para cash.
Pas grabitjes, ata hipën në makinën që i priste jashtë dhe u larguan në drejtim të malit Parnassos. Në momentin e ngjarjes, brenda bankës ndodheshin tre persona.
Policia greke ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
