Institucioni i Avokati i Popullit është përfshirë në debate dhe akuza të brendshme që lidhen me mënyrën e drejtimit të institucionit nga Endri Shabani.
Sipas denoncimeve të bëra publike nga një grup punonjësish, në institucion është krijuar një klimë tensioni, me pretendime për presione ndaj stafit, konflikte administrative dhe vendime të kontestuara për largime nga puna.
Burimet pretendojnë se përplasjet nisën pas kundërshtimeve të disa procedurave të brendshme, të cilat një pjesë e administratës i konsideron të pambështetura në kritere ligjore dhe profesionale.
Në qendër të konfliktit ndodhet Sekretari i Përgjithshëm i institucionit, i cili sipas denoncimeve ka refuzuar të miratojë disa vendime për largimin e punonjësve.
Marrëdhëniet mes drejtuesit aktual dhe Sekretarit të Përgjithshëm raportohen të jenë tensionuar ndjeshëm gjatë muajve të fundit, duke krijuar përçarje edhe brenda administratës së institucionit.
Punonjësit që kanë ngritur shqetësimet pretendojnë se ndaj tyre janë ushtruar presione dhe janë përdorur mekanizma administrative për të ndëshkuar qëndrimet kundërshtuese.
