Edi Rama ka fituar gjyqin për shpifje ndaj ish-drejtoreshës së Tatimeve, Brisida Shehaj, lidhur me një deklaratë të bërë prej saj në rrjetin social Instagram në vitin 2022.
Padia u ngrit pasi Shehaj deklaroi se kryeministri po përdorte Bordin e Transparencës së karburanteve për përfitime personale. Avokatët e Ramës e konsideruan deklaratën të pavërtetë dhe shpifëse, duke kërkuar dëmshpërblim prej 1 milion lekësh.
Sipas raportimeve, Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë i ka dhënë të drejtë kryeministrit, duke e cilësuar deklarimin e Shehajt si shpifje. Gjykata ka urdhëruar ish-zyrtaren të publikojë një përgënjeshtrim në rrjetet sociale, por nuk ka pranuar kërkesën për dëm monetar.
E kontaktuar nga media, Brisida Shehaj deklaroi se do ta ankimojë vendimin, duke theksuar se ai nuk është ende i formës së prerë.
Në të kaluarën, Edi Rama ka fituar procese të ngjashme gjyqësore për shpifje edhe ndaj Sali Berisha, Lulzim Basha, Jorida Tabaku dhe figura të tjera të opozitës.
