Organizata Botërore e Shëndetësisë ka deklaruar se të gjithë personat në bordin e anijes turistike MV Hondius konsiderohen “kontakte me rrezik të lartë” pas shpërthimit të hantavirusit në bord.
Maria Van Kerkhove, drejtoreshë e OBSH-së për parandalimin dhe përgatitjen ndaj epidemive, bëri të ditur se të gjithë pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit duhet të monitorohen aktivisht për një periudhë prej 42 ditësh.
“Ne po i klasifikojmë të gjithë personat në anije si kontakte me rrezik të lartë”, deklaroi ajo në rrjetet sociale.
Ndërkohë, rreth 20 shtetas britanikë që ndodheshin në bord do të transferohen në një spital pranë Liverpool për karantinë.
Sipas NHS, pasagjerët do të akomodohen në Spitalin Arrowe Park në Upton, ku do të qëndrojnë fillimisht deri në 72 orë nën vëzhgim mjekësor.
Autoritetet britanike sqaruan se çdo person do të kontrollohet për simptoma pas mbërritjes dhe se asnjë pasagjer me shenja të hantavirusit nuk do të pranohet në repartet standarde të izolimit.
Në rast se ndonjë prej tyre zhvillon simptoma, ai do të transferohet menjëherë në një strukturë tjetër të specializuar.
UKHSA ka rekomanduar që të gjithë britanikët e kthyer nga anija të vetëizolohen për 45 ditë.
Spitali Arrowe Park ishte përdorur më parë edhe gjatë pandemisë COVID-19 për izolimin e shtetasve britanikë të evakuuar nga Wuhan dhe anija Diamond Princess.
Ndërkohë, në Tenerife janë regjistruar protesta nga punonjësit e portit dhe banorët lokalë, të cilët kundërshtojnë mbërritjen e anijes për shkak të frikës nga përhapja e virusit.
Pavarësisht garancive të autoriteteve spanjolle dhe OBSH-së se nuk do të ketë kontakt me popullsinë vendase, tensionet në ishull vijojnë të mbeten të larta.
