Kryeministri Edi Rama deklaroi se përpjekjet për të kontrolluar mediat nuk sjellin mbështetjen e qytetarëve dhe se publiku arrin të dallojë mes forcave politike që “punojnë” dhe atyre që, sipas tij, merren vetëm me akuza dhe sulme politike.
Komentet e tij u bënë gjatë podkastit “Flasim”, ku Rama foli edhe për një analizë të realizuar nga një startup shqiptar me inteligjencë artificiale, e cila sipas tij ka analizuar qëndrimet mediatike në raport me politikën në Shqipëri.
Sipas kreut të qeverisë, rezultatet tregojnë se pjesa më e madhe e mediave tradicionale dhe online mbajnë qëndrime kritike ndaj qeverisë, duke rrëzuar pretendimet për media të kontrolluara nga pushteti.
“Çdo përpjekje për të kapur mediat është një përpjekje që nuk të çon në fitoren e zemrave dhe të mendjeve të njerëzve”, u shpreh Rama.
Ai shtoi se qytetarët janë në gjendje të bëjnë dallimin mes atyre që përpiqen të qeverisin dhe atyre që, sipas tij, “shtriqen në kolltuk dhe ulërijnë nëpër gardhe”.
Në deklaratën e tij, Rama sulmoi edhe opozitën, për të cilën tha se po përballet me mungesë vizioni, programi dhe lidershipi.
“Ka mungesë vizioni, mungesë programi, mungesë lidershipi dhe shumëçka tjetër që karakterizon sot atë kamp në tërësi”, deklaroi ai.
Kryeministri pretendoi gjithashtu se analiza e publikuar tregon se rreth 60% e kohës televizive në Shqipëri dominohet nga qëndrime antiqeveritare, ndërsa vetëm një pjesë shumë e vogël rezulton pro qeverisë.
Sipas Ramës, kjo provon se në Shqipëri nuk ekziston një sistem mediatik i kontrolluar nga pushteti, por përkundrazi një hapësirë ku, sipas tij, dominon kritika ndaj qeverisë.
