Nënkryetari i Partia Demokratike, Agron Gjekmarkaj, zhvilloi një takim me strukturat e PD-së në Mirditë në kuadër të procesit të zgjedhjeve të brendshme në parti.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gjekmarkaj bëri të ditur se në takim morën pjesë 147 kryetarë dhe sekretarë të grupseksioneve dhe seksioneve të degës së PD-së, të cilët sipas tij po japin “një shembull të shkëlqyer organizimi, demokracie dhe përgjegjësie politike”.
Ai theksoi se pas diskutimeve të hapura, procesi po vijon me votimin për kryesinë e re të degës, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm për forcimin dhe konsolidimin e strukturave të partisë.
“Sot, PD Mirditë dëshmon se është modeli më i mirë i bashkimit, koordinimit dhe energjisë fituese”, u shpreh Gjekmarkaj.
Në mesazhin e tij, ai falënderoi demokratët e Mirditës në emër të kreut të PD-së, Sali Berisha, duke vlerësuar kontributin e tyre në “ringritjen dhe fuqizimin” e partisë.
Sipas Gjekmarkajt, Mirdita mbetet “simbol i qëndresës, dinjitetit dhe besimit te fitorja”, ndërsa shtoi se me organizimin dhe unitetin aktual, “fitorja është e pandalshme”.
