Kreu i World Health Organization, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka reaguar pas shqetësimeve të ngritura për përhapjen e hantavirusit dhe mbërritjen e një anijeje turistike pranë Tenerife.
Në një letër drejtuar banorëve të ishullit, e bërë publike nga mediat ndërkombëtare, Tedros u përpoq të qetësonte opinionin publik duke theksuar se situata aktuale nuk duhet krahasuar me pandeminë e COVID-19.
“E di që jeni të shqetësuar. E di që kur dëgjoni fjalën ‘shpërthim’ dhe shikoni një anije që lundron drejt brigjeve tuaja, rikthehen kujtime që askush nuk i ka harruar plotësisht. Dhimbja e vitit 2020 është ende reale dhe unë nuk e shpërfill atë për asnjë moment,” thuhet në letrën e tij.
Shefi i OBSH-së theksoi se, sipas vlerësimeve aktuale të organizatës, rreziku për shëndetin publik nga hantavirusi mbetet i ulët.
“Ky është vlerësimi i OBSH-së dhe ne nuk e bëjmë atë lehtë,” shtoi Ghebreyesus.
Deklarata vjen pas alarmit të krijuar nga rastet e konfirmuara të hantavirusit në një anije turistike që po afrohet drejt Ishujve Kanarie, ndërsa autoritetet spanjolle kanë marrë masa të forta sigurie për izolimin dhe transportimin e pasagjerëve.
Ekspertët kanë sqaruar se hantavirusi ndryshon ndjeshëm nga COVID-19 për sa i përket mënyrës së transmetimit dhe nivelit të përhapjes, megjithëse disa variante të tij mund të transmetohen edhe mes njerëzve në kushte të caktuara.
