Organizata Botërore e Shëndetësisë ka konfirmuar gjashtë raste me Hantavirus nga tetë të dyshuara, pas shpërthimit të virusit në një anije turistike, ku deri më tani kanë humbur jetën tre persona.
Sipas autoriteteve shëndetësore, personat e prekur rezultojnë të jenë infektuar me variantin “Andes”, një formë e hantavirusit që mund të transmetohet edhe nga njeriu te njeriu. Me gjashtë raste të konfirmuara dhe tre viktima, raporti i vdekshmërisë ka arritur në rreth 38 për qind.
Megjithatë, OBSH ka vlerësuar se rreziku për popullsinë globale mbetet i ulët, ndërsa ka bërë të ditur se situata epidemiologjike do të vazhdojë të monitorohet nga afër.
Anija turistike holandeze, ku u identifikuan rastet, ndodhet aktualisht pranë Tenerife, ndërsa mbërritja e saj ka shkaktuar shqetësim dhe protesta mes banorëve vendas.
Autoritetet spanjolle kanë njoftuar se anija nuk do të ankorohet direkt në portet e banuara të ishullit, por do të qëndrojë në det, ndërsa pasagjerët do të transportohen me traget drejt portit industrial të Granadillës, larg zonave të populluara.
Sipas planit të autoriteteve, pasagjerët do të riatdhesohen menjëherë pas mbërritjes, ndërsa shtetasit spanjollë në bord do të dërgohen në Madrid për t’u futur në karantinë.
Ekspertët e shëndetit publik kanë paralajmëruar se varianti Andes i hantavirusit konsiderohet më i rrezikshëm për shkak të aftësisë për transmetim mes njerëzve, ndërsa autoritetet po marrin masa për të shmangur çdo kontakt mes pasagjerëve dhe popullsisë lokale.
