Ish-komandanti i Forcave Detare, Artur Meçollari, ka bërë akuza të forta publike lidhur me atë që ai e cilëson si një skandal të rëndë me pronat e ushtrisë dhe bazat detare në vend.
Sipas Meçollarit, procesi i tjetërsimit të pronave ushtarake po vijon prej vitesh, ndërsa institucionet e drejtësisë nuk kanë arritur të ndalojnë atë që ai e konsideron si kalim të pronave strategjike në favor të oligarkëve. Në qendër të akuzave të tij është edhe presidenti Bajram Begaj, të cilin ai e përmend si të përfshirë në çështje që prej kohës kur mbante postin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
Meçollari pretendon se SPAK po zvarrit prej pesë vitesh hetimet për bazat detare të Shëngjinit dhe Sarandës, edhe pse sipas tij të dyja ndodhen nën sekuestro preventive. Ai shton se gjatë kësaj kohe janë ndërmarrë hapa të tjerë për nxjerrjen nga plani i përhapjes së Forcës Detare të sipërfaqeve të konsiderueshme në Sazan dhe Pashaliman.
Sipas deklarimeve të tij, në vitin 2025 janë hequr 80 hektarë nga zona e Pashalimanit, ndërsa paralajmëron se i njëjti skenar mund të ndiqet edhe për zonën e Porto Palermo. Ai pretendon se projektet për bazat e reja ushtarake dhe investimet e lidhura me NATO-n janë përdorur si mbulim për tjetërsimin e pronave strategjike.
Në reagimet e tij, Meçollari përmend edhe emra të tjerë të qeverisë, përfshirë kryeministrin Edi Rama, zëvendëskryeministren Belinda Balluku dhe ministrin Pirro Vengu, duke i akuzuar për manipulim të opinionit publik në lidhje me projektet ushtarake dhe bazat e NATO-s.
Ai thekson se Shqipëria kishte ofruar prej vitit 2019 bazën e Pashalimanit për NATO-n dhe se studimet për kthimin e saj në bazë logjistike kishin nisur që në vitin 2021. Sipas tij, megjithatë, pjesa më e madhe e pronës po tjetërsohet për interesa private, duke lënë shumë pak sipërfaqe në dispozicion të Forcës Detare dhe aleancës ushtarake.
Meçollari paralajmëron se nëse procesi vijon me këto ritme dhe hetimet nuk mbyllen, Shqipëria rrezikon të mbetet pa baza funksionale detare, ndërsa anijet ushtarake “do të mbeten në spirancë”.
