Skënder Hita zhvilloi një takim me studentët e Fakultetit të Sigurisë dhe Hetimit, si edhe me punonjës policie që po trajnohen në Akademia e Sigurisë.
Gjatë fjalës së tij, Hita vlerësoi zgjedhjen e të rinjve për t’iu bashkuar strukturave të sigurisë, duke e cilësuar atë si një vendim që kërkon përgjegjësi, disiplinë dhe përkushtim ndaj shoqërisë.
“Zgjedhja juaj për t’iu bashkuar Akademisë së Sigurisë është për t’u vlerësuar. Është një vendim që flet për guxim dhe për dëshirën për t’i shërbyer vendit”, u shpreh ai.
Kreu i Policisë së Shtetit theksoi se Akademia funksionon me standarde bashkëkohore dhe me programe të integruara me praktikat ndërkombëtare, duke përmendur edhe bashkëpunimin me akademitë italiane të policisë.
Ai u ndal veçanërisht te rëndësia e dijes, integritetit dhe etikës profesionale në ushtrimin e detyrës.
“Do t’ju këshilloja për tre gjëra: merreni seriozisht dijen, ruani integritetin dhe mos harroni pse keni zgjedhur këtë rrugë. Besimi i qytetarëve fitohet çdo ditë, me ndershmëri dhe përgjegjësi”, deklaroi Hita.
Sipas tij, Shqipëria ka nevojë për profesionistë të përgatitur dhe me standarde të larta morale në radhët e policisë.
“Shqipëria ka nevojë për ju, ne kemi nevojë për ju. Unë besoj te ju dhe keni mbështetjen time të plotë”, tha drejtori i Policisë së Shtetit.
Pas takimit me studentët, Hita zhvilloi gjithashtu një bashkëbisedim me efektivë policie që po ndjekin trajnime për hetimin e krimit, ku theksoi rëndësinë e përditësimit profesional dhe rritjes së kapaciteteve hetimore për përballimin e sfidave të sigurisë.
