Kryetari i Partia Demokratike e Shqipërisë, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për ndërhyrje politike në vendimin për lirimin nga arresti shtëpiak të ish-drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj.
Në një konferencë për shtyp, Berisha deklaroi se vendimi për zbutjen e masës së sigurisë ndaj Karçanajt është marrë “me urdhër politik”, ndërsa e cilësoi atë si një person të lidhur ngushtë me strukturat e qeverisë.
Sipas tij, Karçanaj është përfshirë në një skemë abuzimi me fondet publike përmes AKSHI-t, ndërsa pretendoi se gjatë hetimeve janë evidentuar pasuri të shumta në emër të saj.
“Dosja faktoi se Mirlinda kishte disa vila e apartamente, ullishta e ara, makina luksoze dhe këto janë vetëm hetimet paraprake”, deklaroi Berisha.
Kreu i PD-së pretendoi gjithashtu se lirimi i saj përbën një goditje ndaj sistemit të drejtësisë dhe lidhet me ndikim të drejtpërdrejtë politik.
Berisha hodhi akuza edhe për përvetësim fondesh publike përmes institucioneve shtetërore, ndërsa përmendi emra të personave që sipas tij kanë qenë të përfshirë në këtë çështje.
Ish-kryeministri e cilësoi Karçanajn si “Balluku BIS”, duke pretenduar ekzistencën e lidhjeve të forta politike brenda qeverisë.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.
