Koncerti i reperit amerikan Kanye West, i planifikuar për t’u mbajtur në Tiranë më 11 korrik në kuadër të turit të tij europian për vitin 2026, ka nxitur debat publik dhe reagime të shumta për shkak të deklaratave të tij të përsëritura antisemitike dhe glorifikimit të figurave totalitare.
Ardhja e artistit në Shqipëri u bë publike nga kryeministri Edi Rama, i cili e cilësoi koncertin si një ngjarje historike për kryeqytetin.
Megjithatë, sipas një analize të publikuar nga Balkan Investigative Reporting Network, organizimi i koncertit ka ngritur pikëpyetje të forta për mesazhin që përcjell Shqipëria në raport me figurat publike që kanë normalizuar gjuhën e urrejtjes.
Gazetari dhe aktivisti për të drejtat e njeriut, Isa Myzyraj, deklaroi për BIRN se çështja nuk lidhet thjesht me një aktivitet artistik.
“Problemi këtu nuk është thjesht një koncert apo një artist, problemi është mesazhi që jepet kur një vend legjitimon ose promovon figura që kanë normalizuar gjuhën e urrejtjes, antisemitizmin apo glorifikimin e figurave totalitare”, u shpreh ai.
Sipas Myzyrajt, organizimi i koncertit tregon se shpesh spektakli politik dhe promovimi ndërkombëtar vendosen mbi parimet morale dhe historike.
Edhe juristi dhe aktivisti Gentian Serjani ngriti pikëpyetje mbi qëndrimin politik të qeverisë shqiptare, duke e konsideruar kontradiktore mbështetjen për një figurë të tillë, sidomos pas deklaratave të mëparshme të Ramës kundër antisemitizmit dhe mbështetjes për Izraelin.
Debati është shtuar edhe për faktin se disa koncerte të West në vende europiane janë anuluar më herët për shkak të deklaratave të tij publike, të cilat kanë shkaktuar reagime të forta ndërkombëtare.
Aktivistët theksojnë se mbetet për t’u parë edhe reagimi i institucioneve ndërkombëtare dhe përfaqësuesve diplomatikë lidhur me organizimin e koncertit në Shqipëri.
