Detaje të reja janë zbardhur nga vrasja e ndodhur mbrëmjen e së enjtes në zonën e Gjashtës në Sarandë, ku mbeti i vrarë me armë zjarri pronari i një karburanti, Rexhep Ismaili.
Sipas informacioneve paraprake, atentati në lokalin e karburantit të tij është pasuar nga të shtëna të tjera me armë nga një person që ndodhej pranë banakut të lokalit.
Burime nga hetimet bëjnë me dije se ambienti nuk funksiononte me banakier të mirëfilltë, por si një lokal familjar ku mblidheshin anëtarë të familjes dhe të afërm të viktimës.
Dyshohet se autori i identifikuar nga policia, Lulzim Tabaku, ka nxjerrë i pari armën dhe ka qëlluar drejt 66-vjeçarit Rexhep Ismaili, i cili ishte edhe kryetar i Shoqatës Çamëria në Sarandë. Pas të shtënave fillestare, një person tjetër që ndodhej në banak ka reaguar duke hapur zjarr ndaj autorit.
Ngjarja ndodhi rreth orës 21:30 në lokalin e karburantit “Vëllezërit Ismaili sh.p.k.” Hetimet paraprake tregojnë se konflikti ka nisur fillimisht me sende të forta dhe më pas është përshkallëzuar në përdorimin e armëve të zjarrit.
Nga shkëmbimi i zjarrit dyshohet se ka mbetur i plagosur edhe një person tjetër, i cili nuk është paraqitur për ndihmë mjekësore dhe është larguar së bashku me autorin e dyshuar.
Policia e Sarandës ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë për të zbardhur dinamikën e plotë të ngjarjes dhe për të identifikuar personat e tjerë të përfshirë në konflikt.
Ndërkohë, vijojnë kontrollet në spitale dhe klinika private për lokalizimin e të plagosurit, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që autorët të jenë larguar nga Saranda, pasi zona e Gjashtës ndodhet pranë daljes së qytetit.
