Rama në Kongresin Botëror të Ligjit: Njerëzit nuk e korruptojnë dot drejtësinë, pa BE do të ishim si Afganistani

Data

Kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë Kongresit Botëror të Ligjit në Tiranë se reforma në drejtësi dhe mbështetja e Bashkimit Europian kanë qenë vendimtare për ndërtimin e institucioneve të pavarura dhe vendosjen e barazisë para ligjit në Shqipëri.

Në fjalën e tij para përfaqësuesve ndërkombëtarë të drejtësisë dhe institucioneve ligjzbatuese, Rama tha se pak vite më parë askush nuk do ta imagjinonte që një aktivitet i tillë do të mbahej në Tiranë.

Sipas tij, përparimi i Shqipërisë në reformën në drejtësi është i lidhur ngushtë me procesin e integrimit europian.

“Jemi në këtë sfidë që ta bëjmë të pakthyeshëm këtë proces dhe në këtë pikë ka diçka që është garanci shumë e madhe për Shqipërinë dhe shqiptarët. Dy fjalë: Bashkimi Europian”, deklaroi Rama.

Kreu i qeverisë theksoi se pa mbështetjen dhe modelin e Bashkimit Europian, Shqipëria nuk do të kishte arritur të ndërtonte institucione të pavarura të drejtësisë.

“Nëse BE nuk do të ishte aty, nëse shqiptarët nuk do ta dëshironin kaq shumë BE-në, ne nuk do të arrinim kurrë të ndërtonim një sistem të pavarur drejtësie dhe të vendosnim barazinë para ligjit. Ose do të arrinim po aq sa kanë arritur afganët”, u shpreh Rama.

Ai shtoi se sistemi i drejtësisë duhet të ndërtohet mbi institucione të forta dhe të pavarura, duke theksuar se “njerëzit nuk korruptojnë dot një sistem”, por sistemet e dobëta mund të korruptojnë këdo.

Rama u ndal edhe tek procesi i vettingut, duke deklaruar se mbi 90 për qind e shqiptarëve e kanë mbështetur reformën në drejtësi, ndërsa një pjesë e madhe e qytetarëve kanë qenë skeptikë për fundin e pandëshkueshmërisë në vend.

Sipas kryeministrit, shumica qeverisëse mbetet e vendosur që të mos lejojë cenimin e reformës në drejtësi dhe të vazhdojë procesin e konsolidimit të shtetit ligjor në Shqipëri.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related