Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka zhvilluar takime me qytetarë në kuadër të mobilizimit për protestën e opozitës që pritet të mbahet më 8 maj në Tiranë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Tabaku deklaroi se qytetarët janë të gatshëm për protestën dhe se vendi ka nevojë për ndryshim politik dhe ekonomik.
“Shqipëria ka nevojë për ndryshim! Nuk mund të jemi pengje të një krize që është gatuar nga duart e qeverisë”, shkroi ajo.
Deputetja demokrate e lidhi protestën me situatën ekonomike në vend, duke akuzuar qeverinë e Edi Rama për krizën e kostos së jetesës dhe rritjen e çmimeve.
Protesta e opozitës është paralajmëruar të zhvillohet mbrëmjen e 8 majit përpara Kryeministrisë, ndërsa drejtues të Partisë Demokratike dhe aleatëve kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive të qytetarëve.
