Deputeti i partisë “Mundësia”, Erald Kapri, deklaroi se forca politike që ai përfaqëson do të marrë pjesë në zgjedhjet vendore të vitit 2027 me kandidatët e saj, por edhe me mbështetje për figura që vijnë jashtë politikës tradicionale.
I ftuar në një studio televizive, Kapri solli si shembull kandidaturën e Florian Binaj, të cilin e cilësoi si një figurë që krijoi frymë dhe interes te qytetarët.
“Ne do të futemi në zgjedhjet lokale me kandidatët tanë. Kur të shohim kandidatë potencialë do t’i mbështesim. Ndodhi me Florian Binajn, që ne e mbështetëm. Ishte një kandidat që nuk vinte nga politika e 35 viteve”, u shpreh Kapri.
Sipas tij, ende nuk dihet nëse Binaj do të jetë sërish kandidat në zgjedhjet e ardhshme vendore, pasi sipas Kaprit po diskutohet mundësia që opozita të orientohet drejt kandidatëve politikë tradicionalë.
Megjithatë, deputeti theksoi se “Mundësia” do të vazhdojë të mbështesë figura jashtë establishmentit politik.
Gjatë intervistës, Kapri hodhi akuza edhe ndaj mazhorancës për mënyrën e funksionimit të Kuvendit, duke deklaruar se interpelanca për projektin Thumanë-Kashar është refuzuar disa herë.
“Imagjino të presësh dy vite për të bërë interpelancë. Nuk e lejojnë. Po përmende Belinda Ballukun, të përjashtojnë nga parlamenti”, deklaroi ai.
Kapri foli gjithashtu edhe për një rast në zonën e Rrjoll, ku sipas tij një emigrant është ndaluar nga policia pasi kishte sharë qeverinë.
Ai pretendoi se qytetarit i ishte sekuestruar automjeti dhe ishte akuzuar për fyerje dhe kanosje ndaj efektivëve të policisë.
