Tensione dhe replika të forta janë regjistruar në Kuvend mes deputetit socialist Erion Braçe dhe kreut të PD-së, Sali Berisha, lidhur me çmimin e karburanteve në Shqipëri.
Pas deklaratave të Berishës nga foltorja e Parlamentit, ku ai akuzoi qeverinë për taksat e larta mbi naftën, Braçe iu afrua fizikisht kreut demokrat në sallë, duke i treguar një artikull të The Wall Street Journal me të dhëna krahasuese për çmimet dhe taksat e karburantit në Europë.
Sipas deputetëve socialistë që kanë dëgjuar bisedën, Braçe i ka thënë Berishës se ai argumenton me dokumente dhe fakte, ndërsa lideri demokrat “flet duke përdorur ChatGPT”.
Debati lidhej me pretendimet e Berishës se Shqipëria ka barrën më të rëndë fiskale mbi karburantet në rajon dhe në Europë.
Më pas, jashtë Kuvendit, Berisha reagoi sërish për mediat duke deklaruar se krahasimi me Gjermaninë tregon peshën reale që ka çmimi i naftës mbi qytetarët shqiptarë.
“Gjermania e ka 45% të çmimit taksë, Shqipëria deri në 55%. Nëse gjermani punon një orë për një litër nafte, shqiptari punon një ditë”, u shpreh Berisha.
Debati mes dy deputetëve vjen në një ditë me tensione të shumta politike në Kuvend, ku diskutimet janë përqendruar kryesisht te çmimi i karburanteve, taksat dhe situata ekonomike në vend.
