Sofjan Jaupaj mbron punimet në Zvërnec dhe akuzon aktivistët për “dashakeqësi”, organizatat mjedisore flasin për “masakër ekologjike”

Data

Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, ka mbrojtur ndërhyrjet e kryera në zonën e mbrojtur të Pishë Poro – Nartë, duke deklaruar se bëhet fjalë vetëm për rrethim prone dhe studime gjeologjike.

Në një konferencë për mediat, ministri tha se kompania që po kryen punimet disponon leje nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe se në zonë “nuk është prerë asnjë pemë”.

Ai akuzoi aktivistët mjedisorë për krijim konfuzioni dhe “dashakeqësi”, duke argumentuar se zona e Pishë Poro – Nartë është kategori e pestë mbrojtjeje dhe jo pjesë e Lumi Vjosa, i cili ka status më të lartë mbrojtjeje si park kombëtar.

“Në kategorinë pesë një pjesë e investimeve lejohen nga legjislacioni”, deklaroi ministri.

Deklaratat e tij vijnë pas publikimit të pamjeve nga organizatat mjedisore, ku shihen makineri të rënda, buldozerë dhe kamionë që punojnë brenda zonës së mbrojtur në Zvërnec.

Sipas raportimit të BIRN Albania, Administrata e Zonave të Mbrojtura ka deklaruar se nuk është njohur me një leje të firmosur për këto ndërhyrje.

Ndërkohë, organizatat mjedisore PPNEA dhe AOS e kanë cilësuar situatën si “masakër ekologjike”.

Sipas tyre, mbi 3 kilometra vijë bregdetare me duna, pisha dhe habitate natyrore po dëmtohen nga ndërhyrjet me mjete të rënda.

Punimet lidhen me projektin turistik të prezantuar në vitin 2024 nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump.

Kompania “Zvërnec South Adriatic Development”, e cila po zhvillon projektin, rezulton e regjistruar përmes strukturave offshore dhe ka marrë dy leje zhvillimi nga KKT gjatë vitit 2025, ndërsa dokumentacioni i plotë dhe Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis nuk janë bërë publikë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related