Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka reaguar për herë të parë në mënyrë të drejtpërdrejtë ndaj debateve për ndryshime ligjore që mund të ndikojnë në kompetencat e saj.
Në raportin vjetor për vitin 2025, institucioni thekson se çdo ndërhyrje ligjore që kufizon mjetet procedurale ose pavarësinë e prokurorisë do të ishte shqetësuese dhe mund të cenojë funksionimin e shtetit të së drejtës.
Sipas SPAK, hetimi i korrupsionit në nivele të larta dhe i krimit të organizuar mbetet një nga sfidat kryesore të institucionit. Në raport përmendet gjithashtu se retorika politike dhe mediatike mund të ndikojë në perceptimin publik dhe në autoritetin e prokurorisë.
Të dhënat e raportit tregojnë edhe një rritje të referimeve nga Policia e Shtetit gjatë vitit 2025, me rreth 70 për qind më shumë hetime të nisura nga informacionet e policisë krahasuar me vitin e mëparshëm. Ndërkohë, kallëzimet nga përfaqësues të politikës kanë shënuar një rënie të ndjeshme.
Raporti trajton edhe debatin për përdorimin e masës së “arrestit në burg”. Sipas SPAK, gjatë vitit 2025 numri i këtyre masave ka rënë nga 236 në vitin 2024 në 110 raste.
Gjatë vitit të kaluar, gjykatat kanë shpallur fajtorë 197 persona në çështjet e hetuara nga SPAK, ndërsa në 21 raste të tjera të pandehurit janë shpallur të pafajshëm.
Institucioni thekson gjithashtu se përgjimet telefonike dhe të dhënat nga pajisjet e sekuestruara mbeten një nga burimet kryesore të provave në hetime.
Në raport përmenden edhe disa çështje strukturore që kërkojnë zgjidhje ligjore, mes tyre edhe statusi i prokurorëve të SPAK pas përfundimit të mandatit të tyre.
