Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, u ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në protestën e opozitës që do të zhvillohet më 8 maj para Kryeministrisë.
Përmes një videomesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Korreshi renditi problematikat me të cilat, sipas tij, përballen qytetarët shqiptarë, duke akuzuar qeverinë për korrupsion, abuzime dhe përkeqësim të kushteve ekonomike.
Deputeti demokrat deklaroi se protesta synon të jetë një reagim qytetar kundër mënyrës së qeverisjes dhe situatës sociale në vend.
“Për të gjitha hallet që ka Shqipëria, për vjedhjet, makutërinë, babëzinë dhe pilafin që kërkon kjo qeveri, ju ftojmë të gjithëve në datën 8 maj në shesh, në protestë”, shprehet Korreshi në videomesazhin e tij.
Opozita ka paralajmëruar protestë kombëtare më 8 maj në Tiranë, duke e lidhur atë me akuzat për korrupsion, gjendjen ekonomike dhe zhvillimet politike në vend.
