Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të forta nga foltorja e Kuvendit ndaj kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se ky i fundit “ka marrë në duar dosjen ‘Craxi’” dhe po përgatit një skenar largimi nga vendi.
Në fjalën e tij, Berisha aludoi se Rama ndodhet “në rreth të kuq”, duke e krahasuar situatën me atë të ish-kryeministrit italian Bettino Craxi, i cili u largua nga Italia pas akuzave për korrupsion dhe jetoi në mërgim.
“‘Craxi’ është socialisti që u largua pasi vodhi dhe u instalua në Tunizi. Edhe vizitat e tij në vendet e Gjirit druaj se kanë të njëjtin kuptim”, u shpreh Berisha, duke ngritur dyshime mbi lëvizjet ndërkombëtare të kryeministrit.
Paralelisht, ai kritikoi ashpër politikat e qeverisë ndaj sektorit të bujqësisë, duke theksuar se heqja e subvencioneve për naftën në një kohë krize është një goditje direkte për fermerët shqiptarë. Sipas tij, ndryshe nga Shqipëria, vendet e rajonit dhe Bashkimi Evropian kanë rritur mbështetjen për bujqësinë.
Berisha akuzoi gjithashtu qeverinë për keqpërdorim të fondeve të programit IPARD, duke pretenduar se fermerët shqiptarë janë privuar nga miliona euro mbështetje financiare.
Deklaratat e tij vijnë në një klimë të tensionuar politike, ku debatet për ekonominë, korrupsionin dhe politikat sociale vijojnë të dominojnë diskursin mes opozitës dhe mazhorancës.
