Një përleshje e dhunshme brenda Burgu i Nigritës, në rajonin e Serresit në Greqi, ka përfunduar me dy viktima dhe një operacion të gjerë policor që çoi në arrestimin e 11 personave.
Ngjarja ndodhi pasditen e së dielës, kur disa të burgosur dolën nga qelitë e tyre duke thyer drynat dhe u bashkuan në një sulm të organizuar ndaj të burgosurve të tjerë. Sipas hetimeve paraprake, në konflikt janë përdorur mjete të mprehta të improvizuara, duke shkaktuar plagë fatale.
Viktimat janë një 46-vjeçar nga Algjeria dhe një 43-vjeçar nga Iraku. Njëri ndërroi jetë në vendngjarje, ndërsa tjetri humbi jetën gjatë transportimit për në spital.
Mes të arrestuarve ndodhen një shtetas gjeorgjian dhe një shqiptar, të cilët dyshohet se kanë rol kryesor në vrasjen e dyfishtë, ndërsa nëntë të tjerë janë ndaluar për përfshirje në incident.
Autoritetet greke dyshojnë se motivi i përplasjes lidhet me larje hesapesh mes grupeve brenda burgut. Ndërkohë, është hapur edhe një hetim disiplinor për të sqaruar se si të burgosurit arritën të siguronin armë të improvizuara dhe të thyenin sistemin e sigurisë.
Punonjësit e burgut ndërhynë për të neutralizuar situatën dhe për të dhënë ndihmën e parë, por plagët e marra rezultuan fatale për dy prej të përfshirëve.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe përgjegjësit e kësaj ngjarjeje të rëndë.
