Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar pas aksidentit tragjik në Durrës, ku dy fëmijë humbën jetën, duke e cilësuar ngjarjen si një dhimbje të madhe për të gjithë shoqërinë.
Në një deklaratë publike, Tabaku theksoi se përtej tragjedisë, shqetësuese është mënyra se si disa media kanë transmetuar pamje të rënda nga vendi i ngjarjes, pa filtra dhe pa respekt për viktimat dhe familjarët e tyre.
“Tragjedia në Durrës ka tronditur të gjithë. Edhe më mizor është transmetimi pa filtër i pamjeve. Dhimbja nuk mund të kthehet në spektakël,” u shpreh ajo.
Deputetja i bëri thirrje Autoriteti i Mediave Audiovizive që të ndërhyjë menjëherë për të ndaluar transmetimin e pamjeve të tilla dhe për të garantuar respektimin e standardeve etike në raportimin mediatik.
Sipas Tabakut, informimi i publikut është një detyrim i medias, por ai duhet të bëhet duke respektuar kufijtë e dinjitetit njerëzor dhe ndjeshmërinë e familjarëve të viktimave.
“Informimi është detyrim, por dinjiteti njerëzor është kufiri që nuk duhet kaluar,” përfundon reagimi i saj.
Ngjarja në Durrës ka rikthyer në vëmendje debatin mbi etikën në media dhe mënyrën se si raportohen tragjeditë, sidomos kur bëhet fjalë për viktima të mitura.
