Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar me tone të forta pas aksidentit tragjik në Durrës, ku dy fëmijë humbën jetën dhe një tjetër mbeti i plagosur rëndë.
Në një postim publik, Braçe e cilësoi ngjarjen jo si aksident, por si një akt të rëndë kriminal. “Kjo është vrasje me dashje, jo aksident”, u shpreh ai, duke theksuar se raste të tilla duhet të trajtohen me ashpërsinë më të madhe nga drejtësia.
Deputeti publikoi edhe pamje nga momenti i përplasjes, duke argumentuar se realiteti i ashpër duhet parë dhe dëgjuar për të kuptuar urgjencën e ndërhyrjes ligjore.
Braçe bëri thirrje për ndryshime të menjëhershme në Kodin Penal dhe atë Rrugor, me qëllim ashpërsimin e dënimeve për shkelje të rënda në qarkullim. Sipas tij, vetëm ndëshkimi i fortë mund të parandalojë ngjarje të tilla në të ardhmen.
Ai kërkoi gjithashtu masa konkrete për rritjen e sigurisë në zonat e banuara, përfshirë kufizimin real të shpejtësisë, rikonceptimin urban të rrugëve dhe krijimin e hapësirave të sigurta për fëmijët.
“Ne nuk jemi thjesht për të ngushëlluar; jemi votuar për të vepruar”, theksoi Braçe, duke bërë apel për reagim të menjëhershëm institucional.
Reagimi i tij vjen në një moment kur tragjedia në Durrës ka ndezur debat të fortë publik mbi sigurinë rrugore dhe përgjegjësinë ligjore për aksidente me pasoja fatale.
