Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Durrës, ku dy fëmijë humbën jetën dhe një tjetër mbeti i plagosur rëndë, pasi u përplasën nga një automjet në lagjen nr. 15.
Banorët e zonës kanë rrëfyer momentet dramatike të aksidentit, duke theksuar se makina lëvizte me shpejtësi të madhe dhe i mori të miturit zvarrë për disa metra. Sipas tyre, skena ishte tronditëse dhe e paprecedentë për komunitetin.
“Ngjarje më të rëndë s’kemi parë. I mori zvarrë, i përplasi disa metra më tej,” u shpreh një banor, dëshmitar i momentit.
Përtej tragjedisë, qytetarët ngrenë shqetësime serioze për sigurinë në zonë. Ata denoncojnë mungesën e kontrolleve policore, qarkullimin e shpejtë të automjeteve dhe raste të drejtimit pa leje. Sipas tyre, kjo rrugë është kthyer në një pikë të rrezikshme, sidomos për fëmijët.
Disa banorë shkuan më tej, duke pretenduar se në zonë ka edhe problematika sociale, përfshirë përdorimin e drogës, që sipas tyre ndikon në përkeqësimin e situatës.
Ngjarja ka shkaktuar dhimbje të thellë në komunitet, ndërsa familjarët e viktimave janë në gjendje të rënduar emocionale. Dy prej fëmijëve që humbën jetën raportohet se ishin kushërinj të parë.
Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga autoritetet për rritjen e sigurisë, shtimin e patrullimeve dhe vendosjen e masave për të parandaluar ngjarje të tilla në të ardhmen.
Ndërkohë, policia ka arrestuar drejtuesin e mjetit dhe vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
