Tensionet brenda Partisë Demokratike janë reflektuar edhe në degën e Korçë, ku gara për drejtimin lokal është shoqëruar me përplasje dhe ndërprerje të procesit.
Ish-deputeti Ervin Salianji ka reaguar publikisht, duke theksuar se anëtarët e PD-së nuk janë të manipulueshëm dhe nuk pranojnë imponime. Sipas tij, demokratët janë “guximtarë, jo dele”, dhe po rezistojnë ndaj çdo përpjekjeje për ndikim nga jashtë.
Në reagimin e tij, Salianji akuzoi atë që e quajti një bashkëveprim mes Edi Rama dhe Sali Berisha, duke pretenduar se po tentohet që Partia Demokratike në Korçë t’i “falet” Niko Peleshi.
Ai shtoi se kundërshtarët politikë duhet të përballen në zgjedhje dhe jo të ndikojnë në prapaskenë përmes marrëveshjeve apo interesave.
Salianji theksoi se demokratët e Korçës nuk do të lejojnë që partia të përdoret për qëllime personale apo përfitime të ngushta, duke nënvizuar se “Korça nuk shitet dhe demokratët nuk përdoren”.
Reagimi i tij vjen në një moment kur debatet për demokracinë e brendshme dhe drejtimin e Partisë Demokratike janë intensifikuar, sidomos në prag të zgjedhjeve të brendshme për drejtuesit e saj.
