Një 26-vjeçar shqiptar, Algert Zeneli, është ekstraduar nga Spanja drejt Shqipëria, në kuadër të operacionit policor të koduar “The Wanted”.
I riu ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Shkodrës i kishte caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për disa vepra penale të rënda, përfshirë kultivimin dhe trafikun e lëndëve narkotike, si dhe përfshirjen në grup të strukturuar kriminal.
Sipas hetimeve, gjatë vitit 2023, ai dyshohet se ka kultivuar rreth 10 900 bimë narkotike të llojit Cannabis Sativa në zonat e fshatit Kir dhe në afërsi të Thethit, në qarkun e Shkodrës, në bashkëpunim me persona të tjerë.
Kapja dhe ekstradimi i tij u bë i mundur falë bashkëpunimit mes Interpol Tirana dhe Interpol Madrid, pas lokalizimit të tij në territorin spanjoll.
Autoritetet shqiptare vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të aktivitetit kriminal dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë grup.
