Sali Berisha firmos projektligjin kundër “propagandës gjinore”: ndalime në shkolla, media dhe rrjete sociale, gjoba deri në 1 milion lekë për shkelësit

Data

Një grup prej 25 deputetësh të Partia Demokratike, me në krye Sali Berisha, kanë depozituar në Kuvend një projektligj që synon ndalimin e asaj që e cilësojnë si “propagandë gjinore” në shkolla, media, rrjete sociale dhe hapësira publike.

Sipas draftit, ndalohet përfshirja në kurrikulat arsimore e koncepteve që trajtojnë identitetin gjinor si të ndryshueshëm nga seksi biologjik, si dhe promovimi i strukturave alternative të familjes apo i çështjeve që lidhen me ndryshimin e karakteristikave seksuale. Projektligji parashikon që këto tema të mos trajtohen në asnjë formë në institucionet arsimore, nga arsimi fillor deri në universitet.

Po ashtu, ndalime të ngjashme parashikohen edhe për median dhe komunikimin publik. Sipas propozimit, çdo përmbajtje që trajton ose promovon çështje të identitetit gjinor apo seksualitetit në radio, televizion, platforma online apo rrjete sociale mund të konsiderohet shkelje dhe të ndëshkohet me gjoba.

Në nenet e projektligjit përcaktohen edhe sanksionet financiare:

  • Në shkolla, gjobat variojnë nga 50 mijë deri në 120 mijë lekë
  • Në media, nga 40 mijë deri në 250 mijë lekë
  • Për aktivitete me të rinj pa pëlqimin e prindërve, nga 50 mijë deri në 250 mijë lekë
  • Për profesionistë të shëndetësisë që kryejnë ndërhyrje të lidhura me ndryshimin e karakteristikave seksuale, gjobat mund të arrijnë deri në 1 milion lekë, shoqëruar me masa administrative apo penale

Projektligji vjen në një klimë të tensionuar debati mbi çështjet e barazisë gjinore në vend, sidomos pas miratimit të ligjit për barazinë gjinore në vitin 2025, i cili parashikon edukimin mbi këto tema në sistemin arsimor për të luftuar diskriminimin.

Propozimi i demokratëve pritet të ngjallë debat të fortë politik dhe shoqëror, pasi bie ndesh me kuadrin aktual ligjor dhe me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe liritë themelore.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related