Përdorimi i pagesave online në Shqipëri ka njohur një rritje të ndjeshme vitet e fundit, duke ndryshuar mënyrën si qytetarët kryejnë transaksionet e përditshme. Brenda një dekade, pagesat elektronike janë rritur më shumë se 8 herë, duke kaluar nga rreth 1.4 milionë në vitin 2015 në mbi 11.5 milionë në vitin 2025.
Sipas ekspertit të ekonomisë Fatos Çoçoli, përfitimet janë të shumta. Pagesat online kursejnë kohë dhe reduktojnë rrezikun nga vjedhjet fizike, pasi qytetarët nuk mbajnë para cash.
Megjithatë, zhvillimi teknologjik ka sjellë edhe një tjetër problem në rritje: mashtrimet online. Ekspertët paralajmërojnë se ndërsa vjedhjet fizike janë ulur, ato kibernetike janë shtuar ndjeshëm dhe janë bërë më të sofistikuara.
Në pesë vitet e fundit janë identifikuar mbi 3,100 raste mashtrimi, ndërsa vetëm gjatë vitit të kaluar janë regjistruar mbi 1,000 raste krimesh kompjuterike. Sektori bankar mbetet ndër më të prekurit.
Sipas të dhënave nga Agjencia Kombëtare e Sigurisë Kibernetike, gjatë vitit të fundit janë menaxhuar dhjetëra sulme kibernetike, disa prej të cilave kanë pasur në shënjestër drejtpërdrejt llogaritë bankare të qytetarëve dhe bizneseve.
Ekspertët japin disa këshilla thelbësore për të shmangur mashtrimet:
- Mos ndani kurrë kodin PIN apo fjalëkalimet e kartës bankare
- Mos klikoni në linke të dyshimta që vijnë me email apo mesazhe
- Kontrolloni gjithmonë burimin e faqeve ku kryeni pagesa
- Aktivizoni verifikimin me dy faktorë kur është e mundur
Në një kohë kur ekonomia po dixhitalizohet me shpejtësi, siguria online mbetet një sfidë kryesore, duke kërkuar më shumë kujdes nga përdoruesit dhe masa më të forta nga institucionet.
