Kryetarja e Komisionit të Çështjeve Europiane dhe deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, në fjalimin e saj në Komisionin e Përbashkët të Stabilizim Asociimit tha dje se qeveria ka një mungesë të theksuar të vullnetit politik për të luftuar korrupsionin dhe lidhjet e thella mes pushtetit, krimit të organizuar dhe pastrimit të parave. Tabaku ka kritikuar ashpër triumfin e qeverisë për procesin e integrimit europian, duke e cilësuar si një mungesë arritjesh reale për 12 vite. Sipas deputetes, korrupsioni është kthyer në gangrenën kryesore të vendit, arsyeja përse shqiptarët nuk kanë besim në sistemin politik dhe arsyeja pse 40% e forcës aktive të punës janë larguar nga vendi.
Tabaku theksoi se korrupsioni sistemik ka arritur nivele alarmante dhe ka kapur gjithçka, nga institucionet publike deri tek procesi legjislativ, duke e kthyer Shqipërinë në një shtet të kapur nga interesat e ngushta të pak individëve. Ajo nënvizoi se pastrimi i parave në Shqipëri është një problem madhor që ka arritur nivele të papranueshme. “Rreth 2.16% e PBB-së së vendit përbëhet nga para të pista që futen në ekonominë shqiptare. Ky është një realitet i hidhur, ku numërohen mbi 859 mijë transaksione korruptive të lidhura me pastrimin e parave. Këto janë shifra alarmante që tregojnë mungesën e plotë të vullnetit për të luftuar fenomenin nga ana e qeverisë”, shkruan deputetja opozitare
Deputetja e PD kritikoi ashpër qeverinë për keqmenaxhimin e fondeve publike dhe favorizimin e sektorëve të caktuar me ligje të posaçme, duke përmendur projektet problematike si aeroporti i Vlorës, porti i Durrësit dhe Teatri Kombëtar, të cilat, sipas saj, shkelin rregullat e konkurrencës dhe MSA-në. “Janë dhjetëra milionë euro që humbasin për shkak të korrupsionit dhe kontratave të manipuluara në interes të individëve të lidhur me pushtetin. Ky është një krim kundër qytetarëve shqiptarë, të cilët vuajnë çdo ditë pasojat e këtyre vendimeve”, thekson ajo.
