Skandali i verës luksoze në hetim nga SPAK: arka me deri 200 mijë euro dyshohet se përdoreshin për ryshfet në AKSHI

Data

Një skemë e dyshuar korrupsioni me përmasa të mëdha është zbuluar në kuadër të një hetimi të SPAK, ku verërat luksoze dyshohet se janë përdorur si mbulesë për transportimin e parave të ryshfetit.

Sipas të dhënave të bëra publike, arkat e verës nuk përmbanin gjithmonë pije të shtrenjta, por shuma të konsiderueshme parash që arrinin deri në 200 mijë euro për dërgesë. Këto para dyshohet se dërgoheshin tek zyrtarë të lidhur me tenderat publikë në AKSHI, si formë favori apo “qoke” për përfitimet nga kontratat shtetërore.

Gazetari Edison Vatnikaj bëri të ditur se një nga episodet më të rënda lidhet me zhdukjen e 600 shisheve vere luksoze, me një vlerë totale prej rreth 1.3 milionë euro. Çdo shishe llogaritej të kishte një vlerë mesatare prej rreth 33 mijë eurosh.

Këto shishe, të importuara nga një vend i Bashkimit Europian nga një biznesmen i përfshirë në tendera publikë, ishin identifikuar si provë materiale nga hetuesit. Megjithatë, një natë përpara inventarizimit zyrtar, e gjithë sasia është zhdukur nga kantina ku mbahej.

Sipas burimeve hetimore, një person i afërt me një prej të dyshuarve ka marrë shishet nga kantina, pavarësisht faktit që ato supozohej të ishin nën mbikëqyrje. Ky zhvillim ka ngritur dyshime të forta mbi mënyrën e ruajtjes së provave dhe përgjegjësinë e institucioneve ligjzbatuese.

Biznesmeni që kishte sjellë verën ka deklaruar se kishte vepruar vetëm si porositës dhe se malli nuk ishte për përdorim personal, por për një palë të tretë.

Rasti i verës luksoze konsiderohet nga hetuesit si një nga elementët kyç për të kuptuar mekanizmin e qarkullimit të parave në këtë skemë të dyshuar korrupsioni, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur përgjegjësitë dhe rrjetin e përfshirë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related