Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në kuadër të një vizite treditore në Zagreb gjatë Forumit të International Democrat Union, ka zhvilluar një takim me ish-Presidentin e Kroacisë, Stjepan Mesić.
Në këtë takim mori pjesë edhe delegacioni i Partisë Republikane të Shqipërisë, ku u diskutua mbi zhvillimet politike në rajon dhe situatën aktuale në Shqipëri. Berisha dhe përfaqësuesit shqiptarë shprehën mirënjohje për Mesicin, duke e cilësuar si një mik të kahershëm të shqiptarëve dhe një mbështetës të rëndësishëm të proceseve kyçe si pavarësia e Kosovës dhe anëtarësimi i Shqipërisë në NATO.
Gjatë bisedës, Berisha ngriti shqetësime për zhvillimet në vend, duke theksuar se Shqipëria, ndryshe nga Kroacia që është tashmë pjesë e Bashkimit Evropian, ka pësuar regres në rrugën e saj europiane. Ai përmendi si problematika kryesore korrupsionin, ndikimin e krimit të organizuar dhe mungesën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Nga ana tjetër, Stjepan Mesić u shpreh se përballja me sfidat duhet të bëhet përmes mjeteve demokratike, duke theksuar rëndësinë e respektimit të parimeve demokratike dhe forcimit të institucioneve.
Takimi vjen në një moment të debatit të shtuar politik në Shqipëri, ndërsa opozita dhe mazhoranca vijojnë përplasjet mbi çështje të qeverisjes dhe integrimit europian.
