Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet ndaj shtetasit rus Vladislav Urban, i akuzuar për kërcënim me bombë në Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës Nënë Tereza.
44-vjeçari është marrë i pandehur për veprën penale “kanosje për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”.
Sipas hetimeve, në shkurt të vitit 2023, Urban ka dërguar një email drejt shefit operacional të aeroportit, ku pretendonte se kishte vendosur një bombë dhe kërcënonte se do ta shpërthente atë. Në mesazhin e tij ai deklaronte gjithashtu se kishte marrë peng dy shtetas shqiptarë dhe vendoste si kusht që qeveria shqiptare të njihte Kosovën si pjesë të Serbisë.
Megjithatë, pas verifikimeve të kryera në bashkëpunim me autoritetet greke, rezultoi se kërcënimi ishte i rremë. Nga hetimet doli se Urban, i cili jetonte në Selanik, nuk kishte marrë asnjë peng dhe kishte precedentë të mëparshëm për dërgim mesazhesh kërcënuese.
Rasti u trajtua me prioritet për shkak të natyrës së ndjeshme të kërcënimit dhe rëndësisë së sigurisë në një nga pikat kryesore të transportit ajror në Shqipëri.
