Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka denoncuar gjendjen e rënduar të infrastrukturës energjetike në zonat rurale të Lushnjës, duke publikuar pamje nga Çermë sektori.
Sipas tij, shtyllat elektrike në këtë zonë janë të amortizuara dhe në gjendje të rrezikshme, duke krijuar shqetësim për sigurinë e banorëve. Në videon e publikuar në rrjetet sociale, disa prej tyre duken të anuar dhe pranë rrëzimit.
Në reagimin e tij, Korreshi përdori tone ironike, duke iu drejtuar ministrit Enea Karakaçi dhe zëvendëskryeministres Belinda Balluku që të ndërhyjnë për rregullimin e situatës.
“Mirëmëngjes shoku Karakaç, merr dhe shoqen Balluku që t’i drejtoni pak shtyllat këtej…”, shprehet ai në video, duke ironizuar mungesën e ndërhyrjes institucionale.
Denoncimi i deputetit vjen në vijim të një serie publikimesh të tij mbi problematika infrastrukturore në zonat rurale, ku shpesh theksohet mungesa e investimeve dhe mirëmbajtjes.
Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga institucionet përgjegjëse lidhur me rastin konkret në Çermë, ndërsa çështja e sigurisë së rrjetit energjetik mbetet një shqetësim i vazhdueshëm për komunitetet lokale
