Apeli i GJKKO liron biznesmenin Elvis Lami, i akuzuar për tenderë me ARRSH – ndryshohet masa pas dy viteve paraburgim dhe statusit si bashkëpunëtor i drejtësisë

Data

Apeli i GJKKO ka vendosur lirimin nga paraburgimi të biznesmenit Elvis Lami, i cili akuzohet për përfitim tenderësh publikë përmes skemave të dyshuara korruptive në ARRSH.

Vendimi vjen pas më shumë se dy vitesh në qeli, ku gjykata ka revokuar masën e sigurisë “arrest me burg”, duke urdhëruar lirimin e menjëhershëm të tij, nëse nuk ka ndonjë kufizim tjetër ligjor.

Lami ishte arrestuar në mars të vitit 2024, ndërsa më pas ishte rikthyer sërish në paraburgim me vendim të dytë të Apelit. Së fundmi, ndryshimi i situatës procedurale erdhi pasi SPAK kërkoi dënimin e tij me 4 vite shërbim prove, duke marrë parasysh statusin si bashkëpunëtor i drejtësisë.

Sipas dosjes hetimore, Lami rezulton të ketë qenë pronar formal i kompanisë “DAAM shpk”, e cila dyshohet se kontrollohej në mënyrë faktike nga ish-drejtori i ARRSH-së, Evis Berberi. Kjo kompani, sipas prokurorisë, ka përfituar një numër të konsiderueshëm tenderësh me vlera të larta gjatë kohës që Berberi mbante poste të rëndësishme në administratën publike.

Hetimet e SPAK kanë përfshirë përgjime dhe prova të tjera që, sipas akuzës, tregojnë për një skemë të organizuar për përfitime të paligjshme nga fondet publike.

Ndërkohë, ndaj Evis Berberi vijon procesi gjyqësor, ndërsa çështja konsiderohet një nga dosjet më të rëndësishme për korrupsionin në sektorin e infrastrukturës.

Vendimi i Apelit mund të ankimohet në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve nga palët e interesuara.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related