Ministrja Mirela Kumbaro ka reaguar ndaj pyetjeve të gazetarëve lidhur me jetëgjatësinë e saj në kabinetet e qeverisë së drejtuar nga Edi Rama.
Në një konferencë për shtyp pas mbledhjes së qeverisë, Kumbaro u pyet mbi rezultatet konkrete që, sipas gazetarëve, justifikojnë vijimësinë e saj në detyrë përgjatë disa mandateve.
Ajo theksoi se rezultatet e punës së një ministri maten përmes votës së qytetarëve dhe analizave të brendshme të mazhorancës, duke shtuar se çdo funksionar është pjesë e një skuadre dhe jo individ i veçuar.
Sipas saj, funksionimi i qeverisë bazohet në bashkëpunim dhe ndarje rolesh, ku përgjegjësitë dhe detyrat mund të ndryshojnë në varësi të nevojave.
“Rezultatet janë ato që maten çdo katër vjet përmes votës dhe vlerësimit të skuadrës. Asnjë ministër nuk është aty vetëm, por si pjesë e një ekipi”, u shpreh Kumbaro.
Ajo nënvizoi se qëndrueshmëria në detyrë nuk lidhet me individin, por me vijimësinë e mazhorancës dhe lidershipin politik.
