Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet për një nga çështjet më të rënda në sistemin shëndetësor dhe ka kërkuar dërgimin për gjykim të gjashtë personave, mes tyre mjekë dhe ish-zyrtarë të QSUT.
Në listën e të pandehurve përfshihen Brikena Qirjazi, Alketa Pere, Emiljano Lela, Drilona Kishta, Halil Gashi dhe Florjan Marku, të cilët akuzohen për vepra si “shpërdorim detyre”, “fshehje të të ardhurave” dhe “tregtim mallrash kontrabandë”.
Sipas hetimeve, është zbuluar një skemë abuzive ku pacientë të diagnostikuar me sëmundje tumorale nuk merrnin trajtimin e duhur në spitalin publik, por orientoheshin drejt klinikave private. Në këto struktura, ata detyroheshin të paguanin tarifa të larta për shërbime që duhet të ofroheshin falas në sistemin shtetëror.
Një tjetër element shqetësues i dosjes lidhet me aparaturën e kobalt-terapisë. Pajisja, e instaluar që në vitin 2021, rezulton të jetë vendosur në kushte të papërshtatshme dhe jashtë standardeve ndërkombëtare të sigurisë, duke mos u vënë kurrë në funksion dhe duke u konsideruar rrezik potencial për personelin.
Ndërkohë, SPAK ka shpallur moskompetencë për pjesën kryesore të çështjes, duke mbajtur vetëm hetimin ndaj njërit prej mjekëve për akuza korrupsioni, ndërsa pjesa tjetër e dosjes i është kaluar Prokurorisë së Tiranës.
Tashmë pritet vendimi i Gjykatës Penale të Tiranës për kalimin ose jo të çështjes në gjykim, ndërsa hetimet vijojnë për persona të tjerë në kuadër të së njëjtës dosje, përfshirë procedimin e njohur si “Kobalti”.
Sipas ligjit, të gjithë personat e përfshirë në këtë çështje konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata.
