Analisti Ermir Gjinishi ka kritikuar ashpër procesin për zgjedhjen e kreut në Partia Demokratike e Shqipërisë, duke e cilësuar atë si një garë të paracaktuar dhe pa konkurrencë reale.
I ftuar në një emision televiziv, Gjinishi u shpreh se kandidimi i një mjekeje përballë Sali Berisha nuk përbën një sfidë të vërtetë politike, por një situatë që i ngjan më shumë një formaliteti sesa një procesi demokratik.
Sipas tij, problemi nuk është vetëm i PD-së, por një fenomen më i gjerë që prek të gjitha partitë në Shqipëri. “Kur them se nuk ka zgjedhje brenda partive, kjo është sëmundje e madhe,” u shpreh ai, duke nënvizuar mungesën e konkurrencës dhe demokracisë së brendshme.
Gjinishi theksoi se gara për kreun e PD-së është “e mbyllur pa filluar akoma”, duke shtuar se edhe në rast të një procesi normal, Berisha do të ishte favorit për të fituar.
Ai kritikoi gjithashtu mungesën e angazhimit të individëve që identifikohen si të djathtë, duke thënë se shumë prej tyre nuk shohin më hapësirë për kontribut real brenda partisë.
Në vijim, analisti e cilësoi situatën si “fyese”, duke shtuar se procesi nuk përfaqëson një garë serioze politike për të marrë drejtimin e vendit, por një formalitet pa peshë reale.
Deklaratat e tij pasqyrojnë një klimë të gjerë skepticizmi ndaj proceseve të brendshme në partitë politike shqiptare, ku shpeshherë mungesa e garës reale shihet si një nga problemet kryesore të demokracisë në vend.
