Dorjan Teliti: Për një shtëpi në Tiranë duhen 70 vite punë, tregu i ndërtimit i deformuar dhe jashtë logjikës së lirë

Data

Eksperti i ekonomisë Dorjan Teliti ka ngritur alarmin për çmimet e larta të apartamenteve në Tiranë, duke deklaruar se tregu i ndërtimit në Shqipëri nuk funksionon më sipas rregullave të ekonomisë së lirë.

Sipas tij, në një treg normal çmimet përcaktohen nga kërkesa dhe oferta, por në Shqipëri kjo logjikë është deformuar nga mungesa e konkurrencës së ndershme, burime të paqarta financimi dhe ndërhyrje që favorizojnë praktika antiligjore.

Teliti thekson se kjo situatë ka krijuar një treg të paarritshëm për shumicën e qytetarëve, duke e bërë blerjen e një apartamenti pothuajse të pamundur për familjet me të ardhura mesatare.

Ai sjell një shembull konkret: një çift i ri me paga mesatare do të duhet të punojë mbi 70 vite për të blerë një apartament standard në Tiranë. “Do të punosh 5-6 muaj vetëm për një metër katror. Në total, mbi 70 vite për një shtëpi dy dhoma e kuzhinë,” u shpreh ai.

Sipas tij, çmimet aktuale – që variojnë nga rreth 2000 euro/m² në periferi deri në 4000 euro/m² në zona qendrore – nuk justifikohen nga realiteti ekonomik i vendit.

Teliti krahasoi situatën edhe me qytete europiane si Milano, duke thënë se me të njëjtin çmim një qytetar do të preferonte të blinte një pronë atje për shkak të cilësisë së shërbimeve dhe jetesës.

Ai kritikoi gjithashtu standardet e ndërtimit dhe sigurinë, duke theksuar se shumë ndërtesa janë me cilësi të dobët, ndërsa çmimet mbeten shumë të larta.

Në përfundim, Dorjan Teliti theksoi se tregu aktual i ndërtimit në Shqipëri është i “kriminalizuar dhe i deformuar”, duke paralajmëruar se kjo situatë rrezikon jo vetëm ekonominë, por edhe mirëqenien afatgjatë të qytetarëve.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related