Peshkopia është një nga qytetet më të rëndësishme në verilindje të Shqipërisë dhe një nga nyejt kryesore të lëvizjes për sa i përket pozitës gjeografike, pasi është kthyer edhe në qendrën e turizmit malor. Tashmë kryeqendra e qarkut Dibër nuk është e famshme vetëm për malin më të lartë në Shqipëri dhe destinacionet turistike, por prej kohësh është kthyer në qendër të vëmendjes për shkak të skandalit të vjedhjes së votave, abuzimet dhe vonesat me rrugën e Arbrit, si edhe korrupsionin që “dremit” në bashki. Kjo e fundit ka një impakt të drejtpërdrejt në jetën sociale të qytetit, pasi shpeshherë skandalet me abuzimin e fondeve publike gërshetohen me skandalet seksuale në administratën publike, skandale të cilat pengojnë zhvillimin e zonës. Kjo bashki ka qenë në qendër të betejës elektorale midis partive politike, sepse rezultatet në këtë zonë kanë pasur impakt të drejtpërdrejtë te zgjedhjet e parlamentare të 2017 dhe 2021, pasi ka qenë një zonë, që ka prodhuar rezultate zgjedhore surprizë.
Në këtë episod, “Vetting” në “News 24” do të trajtojë abuzimet dhe keqpërdorimin e parave publike nga Bashkia Dibër, ku evidentohen probleme që ndikojnë jo vetëm tek infrastruktura e qytetit, por edhe tek imazhi i tij. Në mjegullën që mbulon prapaskenën e marrëveshjeve korruptive pleksen interesat e zyrtarëve të lartë me të njëjtat kompani që janë nën hetim nga SPAK, por kanë lidhje familjare me pushtetin qendror. Si gjithmonë, në qendër të grabitjes janë paratë publike, para që dalin nga xhepat e qytetarit shqiptar për t’u ofruar shërbime, para që nuk janë pronë e zyrtarëve të bashkisë apo kompanive private, por duhet të menaxhohen nga ata që janë punësuar për t’i shërbyer taksapaguesit shqiptar. Këto taksa merren çdo vit nga puna e banorëve të kësaj zone, për t’u plotësuar kërkesat sociale dhe ekonomike, që nuk po përkthehen në shërbime për qytetarin, por gjejnë rrugën te xhepat e disa individëve që shkelin ligjin. Janë këta banorë, që denoncuan shkeljet e bashkisë, ku “Vetting” mori indiciet për të kryer një investigim, që tregon rrugën e fondeve publike që janë akorduar nga buxheti i shtetit deri te shpërndarja e tyre te bashkitë dhe zbatimi i projektit nga kompanitë private.
